Nga Shqipëria / E Mërkurë 25 Shtator 2019, 13:01

Arritën sot, zbulohet arsyeja e rëndësishme që solli Tolgën dhe Almedën në Kosovë

Ditën e sotme aktori shumë i njohur turk Tolgahan Sayisman, mbërriti në Kosovë, shoqëruar nga Almeda Abazi dhe djali i tyre Efehani. Në orën 11 ai ka mbajtur një konferencë për shtyp me ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me një delegacion turk të kryesuar nga aktori.

Së fundmi ministri ka bërë të ditur detaje në lidhje me konferencën e mbajtur. Ato kanë folur për një bashkëpunim Turqi-Kosovë për projekte të ndryshme kulturore, sidomos në fushën e kinematografisë.

Gashi ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook, foto nga konferenca e mbajtur me Tolgahanin dhe ka shkruar: “Sot prita në takim aktorin me famë botërore Tolgahan Sayisman, me të cilin bisedova për mundësinë e realizimit të disa projekteve kulturore, me theks të veçantë në fushën e kinematografisë. Siç dihet, para pak kohësh kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës me Republikën e Turqisë dhe tani është mundësia që ta jetësojmë me projekte konkrete duke përfshirë edhe aktorin Tolgahan. Përvoja dhe emri i njohur, por edhe dashuria e tij për vendin tonë është mundësi e re për ne. KG”.

Kujtojmë që pas kësaj konference, familja Sayisman do të vizitojë Prizrenin.