‘America’s Got Talent’ është një konkurs televiziv i shfaqjeve të talenteve në Amerikë. Mbrëmjen e kaluar është zhvilluar finalja e sezonit të katërmbëdhjetë dhe fitues është shpallur një i ri shumë i talentuar.

Fituesi quhet Kodi Lee dhe është 23-vjeç. Që nga momenti i parë në skenë, Lee mahniti shikuesit me talentin, gatishmërinë dhe aftësinë e tij. Në natën finale ai ka konkuruar me këngëtaren Leona Lewis dhe së bashku kanë kënduar këngën ‘You are the reason’ (Ti je arsyeja) nga Calum Scott.

Kodi Lee është i verbër dhe autik. Gjatë gjithë jetës së tij, një gjë që mbeti konstante është lidhja e tij me muzikën dhe aftësia e tij e mahnitshme për të mbajtur, kuptuar dhe shprehur veten përmes këngës. Ai ka një zë vërtetë unik, me të cilin ka bërë për vete të gjithë publikun amerikan që e shpalli fitues. Performanca e tij ishte më e ndjera dhe më e arrira dhe nuk kishte si të mos fitonte zemrat e të gjithëve.








