Ndarja e një prej çifteve më të njohur në botën e showbizit të huaj: Miley Cyrus dhe Liam Hemsworth bëri bujë të madhe në media. Për publikun ndarja ishte e papritur, sepse erdhi vetëm pak muaj pas martesës, e për më tepër Liam dhe Miley gjithmonë shfaqeshin si çifti perfekt. Të gjithë kështu i mendonin, dyshja që e kishin mbajtur gjallë dashurinë e tyre për plot 10 vite e më pas e kurorëzuan dhe me martesë.

Mirëpo burime për “Page Six” së fundmi kanë zbuluar se lajmi i ndarjes nuk ka qenë i papritur vetëm për publikun dhe fansat, por dhe për vetë Liamin. Burimet janë shprehur se Hemsworth nuk ishte gati të bënte publike ndarjen nga Miley, sepse ai në fakt po mundohej shumë që në privatësi të shpëtonte martesën e tyre.

Sipas burimeve, Liam e ka mësuar ndarjen nga bashkëshortja e tij përmes rrjeteve sociale ndërkohë që ndodhej në Australi. Ai ka mbetur i shokuar kur ka parë se Miley ka deklaruar për fundin e historisë së tyre.

Më pas kur në gjithë mediat u publikuan foto të Mileyt duke u puthur me Kaitlynn Carter, përfaqësuesit e Cyrus thanë se ata të dy kishin rënë dakord që të ndaheshin.








