Këngëtarja spanjolle me famë botërore, Luz Casal do të vijë në Shqipëri për të mbajtur një koncert në Amfiteatrin e Tiranës. Ardhja e Luz Casal në Shqipëri është mundësuar nga këngëtari Ardian Trebicka i cili ishte i ftuar sot tek "Rudina".

Trebicka zbuloi një surprizë që Luz Casal ka për publikun, ajo do këndojë një këngë shqip. Gjithashtu Trebicka tregoi se do të këndojë duet me këngëtaren.

"Luz Casal do vijë me një repertor i cili do jetë akustik, një repertor nga këngët më të njohura që ka Luz Casal në karrierën e saj. Do të jetë një program rreth 90 minuta ku do jem dhe unë i ftuar, ku do këndojmë të dy spanjisht dhe pas shumë përpjekjesh ja mbusha mendjen për të kënduar dhe një diçka shqip, të cilën unë dua ta lë surprizë për publikun. Është hera e parë që Luz Casal del jashtë repertorit të saj, sepse dhe në duetet që ne do bëjmë, unë jam brenda çka ajo ka kënduar, jo jashtë repertorit. Dhe ajo më plotësoi për të qenë brenda repertorit tim”, tregoi këngëtari.

Trebicka tregoi gjithashtu se Luz Casal ishte shumë e interesuar për Shqipërinë dhe vendosën që më 14 Shtator të realizojmë koncertin në Amfiteatrin e Tiranës.






