Intervista e moderatores Fatma Haxhialiu tek "Rudina" i ka prekur të gjithë ata që e ndoqën. Fatma rrëfeu e përlotur vështirësitë që ka pasur familja e saj për të përballuar shkollimin e të bijës.

“Është shumë e vështirë kur prindi shikon një fëmijë që impenjohet që lexon kaq shumë që studion dhe kërkon kaq shumë dhe nuk ka ta rris këtë fëmijë më shumë dhe t’i japi atë që i takon, se në fund të ditës realisht e meritonte. Mami im është tip shumë i fortë dhe nuk është nga ato që përlotet kollaj, më pa në sy dhe më thotë: ‘Si mundet një prind të qëndrojë përpara fëmijës së tij dhe fëmija i tij i thotë dua libra, nuk po më kërkon as luks, as të bëj udhëtime, as veshje, por më thotë mami unë dua një libër’, sepse Jona ka lexuar shumë dhe unë kursimet më të vogla mundohesha që Jona të blinte libra ose të bënte një kurs që i duhej për të aplikuar për bursën.”, tha Fatma e përlotur.

Mes shumë komenteve që shpreheshin se moderatorja i ka prekur shumë me këtë rrëfim, Fatmës i ka rënë në sy komenti i një ndjekëse e cila e pa si shtirje duke komentuar: "Sa më habite kur deshe të shisje mend e ktej s’ke pas “buk të hash” apo të blesh libra. S’dua të ofendoj e dashur se mbase përqindja më e madhe e shqiptarëve janë apo kanë qenë me vështirësi të tilla si ju, port ë pakten mos e thoshe që jemi rrit mir e kemi pas me bollëk", ka shkruar komentuesja.

"Sepse është e vërtetë që jam rritur me bollëk, por të mirat materiale e dashur ikin e vijnë, dhe s'ka asgjë për t’u habitur, sot je milioner e nesër gdhihesh pa asnjë kacidhe në xhep, se të mbyllet biznesi, bie puna, etj, etj. Si çdo familje dhe e imja ka pasur momente të vështira, por ja kemi dalë mbanë pikërisht se kemi qenë të bashkuar", iu përgjigj Fatma.






