Nga Shqipëria / E Enjte 29 Gusht 2019, 14:02

Dua Lipa në protestë, del kundër vendimit të kryeministrit të Britanisë

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, përpos faktit që njihet si një artiste tepër e suksesshme, njihet dhe për interesin dhe opinionet e saj në lidhje me politikën. Janë të shumta rastet kur ajo ka dhënë mendime për çeshtje politike.

Në një intervistë për "CNN" një vit më parë, Dua foli rreth Brex-it duke u shprehur se fakti që është nga Kosova ka ndikuar në vlerësimin e saj për BE-në dhe kundër daljes së Britanisë nga unioni. “Duke qenë nga Kosova, e kuptoj rëndësinë e të qenit në BE, për të qenit bashkë. Them se ata që votuan për të dalë, janë më të moshuar se ata që do të vuajnë pasojat”, ishte shprehur Dua.

Në prag të Brex-it, kryeministri i ri britanik, Boris Johnson, ka vendosur të shpërndajë parlamentin. Ky vendim nuk është pritur mirë dhe shumë qytetarë kanë dalë rrugëve për të protestuar. Dua Lipa po ashtu i ka dalë kundër publikisht përmes një postimi në Instastory.

Këngëtarja ka postuar një foto ku shfaqet një maskotë e kryeministrit britanik i cili po shkatërron demokracinë e Britanisë. Kjo është një shenjë proteste dhe mbështetjeje për popullatën e Britanisë nga ana e Dua Lipës.