Nga Shqipëria / E Enjte 29 Gusht 2019, 13:01

Dalin shifrat: Ky është televizioni me më shumë të ardhura në Shqipëri

Gara për shikueshmëri mes dy televizioneve të mëdha Klan dhe Top channel ka qenë gjithnjë e fortë sepse sa më shumë audiencë, aq më shumë të ardhura përmes reklamave. 

Deri në vitin 2017, Top Channel ishte më i madhi në vend sa u përket të ardhurave, por, viti 2018 ka sjellë një përmbysje në renditje. TV Klan ka raportuar të ardhura totale më të larta sesa Top Channel dhe është bërë televizioni më i madh në vend sa i përket qarkullimit vjetor.

"Monitor.al" bën të ditur se sipas të dhënave të deklaruara në bilancin vjetor, xhiro e TV Klan në 2018-n ishte 1.46 miliardë lekë (rreth 11.7 milionë euro), me një rritje prej gati 12% në raport me vitin e kaluar.

Ndërsa Top Channel ka raportuar të ardhura totale prej 1.37 miliardë lekësh (rreth 11 milionë euro), me një rritje prej 0.6% në raport me vitin e kaluar.

Televizioni i tretë më i madh në vend është Vizion Plus i cili kishte një qarkullim vjetor prej rreth 435 milionë lekësh (3.5 milionë euro), me rritje prej 8.7%.

Burimi: Monitor.al