Nga Shqipëria / E Hënë 26 Gusht 2019, 13:01

Nga momenti njohjes deri te ndarja, gjithçka nga historia e Norës dhe e Robertit

Nora Istrefi dhe Robert Berisha për shumë kohë janë konsideruar si një ndër çiftet më jetëgjatë të showbizit, me një histori dashurie plot 13 vjeçare.

Por cila ishte historia e njohjes mes dy emrave më të përfolur në mediat rozë?  Dashuria për muzikën ishte ajo që i lidhi fillimisht me njëri-tjetrin Norën dhe Robertin.

"Më ka pëlqyer si dukej, më kanë pëlqyer muhabetet me të, jam ndjerë në fillim shumë vetëvetja, shumë e lirë."- pati deklaruar Nora për fillimin e lidhjes midis tyre. Dyshja është takuar ballë për ballë me njëri-tjetrin në një varg koncertesh në Gjermani dhe më vonë kanë caktuar disa takime në Prishtinë.

Nora Istrefi dhe Robert Berisha ndenjën të lidhur e të fejuar 8 vjet para se ta kurorëzonin dashurinë e tyre në martesë. Vetëm me 2 Shtator të vitit 2014, dyshja vendosi ta kurorëzonte me martesë dashurinë e tyre.

Dasma kishte 350 të ftuar mes të cilëve dhe personazhe VIP si Capital T, Ledri Vula, Gili, Ermal Fejzullahu, Teuta Selimi e shumë artistë të tjerë. Në dasmë çifti zgjodhën të mos shkëmbenin unaza sepse i kishin shkëmbyer gjashtë vite para se të martoheshin, në fejesën e tyre. Unazat i kishin blerë në një argjendari të New Yorkut dhe duke qenë se kishin një vlerë të madhe sentimentale për to, vendosën të mos i ndërronin.

Momenti më i bukur i dasmës për ta ka qenë kur kanë mbërritur në sallë dhe kanë parë të gjithë të afërmit e miqtë që ishin mbledhur aty për të gëzuar bashkë me to. Hyrja e çiftit në sallë u shoqërua nga një këngë shumë romantike nga John Legend "All of me".

Dashuria dhe emocioni mes historisë së Norës dhe Robertit u rrit akoma më shumë në vitin 2015, me ardhjen në jetë të bijës së tyre, të cilën vendosën ta quajnë Renee.

Përpos thashethemeve për ndarje, thashethemeve për krizë martesore midis tyre, për tradhëti, Nora dhe Roberti e jetuan për shumë vite dashurinë e tyre, derisa së fundmi ishte Roberti ai që deklaroi ndarjen nga këngëtarja. Pavarsisht ndarjes, dyshja vazhdojnë të gëzojnë marrëdhënie të mirë mes njëri-tjetrit, për hir të shumë viteve histori dhe vajzës së tyre Renee.