Nga Shqipëria / E Hënë 19 Gusht 2019, 09:09

Jo vetëm ‘Rubrika Sportive’, zbulohet emisioni i ri i Hygerta Sakos

Moderatorja e njohur sportive, Hygerta Sako prej vitesh ka sjell një sërë emisionesh në ekranet shqiptare që e kanë kthyer në një ndër personazhet më të dashur për publikun shqiptar. Pak ditë më parë, Hygerta ka festuar 42 vjetorin e lindjes dhe së fundmi ka dhënë një intervistë për ‘Panorama Plus’ ku ka zbuluar më shumë për jetën private dhe karrierën e saj.

Hygerta ka folur për moshën e saj dhe ka rrëfyer se nuk ndjen aspak komplekse dhe se ndihet shumë mirë që është 42 vjeçe.

“Për mua mosha nuk ka qenë dhe as do të jetë ndonjëherë kompleks. Nuk dua të përmend nga ato shprehjet klishe “njeriu është sa vjeç ndihet”, por mund të them që çdo moshë ka bukurinë e saj. Ok, me disa rrudha më shumë, po ç’rëndësi ka, përderisa unë kam të njëjtën energji dhe dëshirë për ta jetuar çdo minutë njësoj sikur të isha 20 vjeç. Rëndësi ka të kesh shpirtin e ri dhe energjik, të jesh pozitive dhe ta duash jetën. Bukuria është thjesht fasadë, jo esencë.”, tha ajo.

Ndër të tjera moderatorja zbuloi se këtë sezon do të shohim sërish në TVSH në  “Rubrika Sportive”, por edhe në një emision të ri.

“Do të vazhdoj të moderoj emisionet “Rubrika Sportive” dhe “Ëndërr Kuq e Zi”, por edhe një program të ri në TVSH, ideja për të cilin ende nuk është kristalizuar.”, ka përfunduar Hygerta.