Nga Shqipëria / E Premte 16 Gusht 2019, 16:04

Me diplomë por pa punë, del shifra shokuese e të rinjve shqiptar papunë

Sipas studimit të fundit, të pasurit diplomë nuk ndihmon në gjetjen e një vendi të sigurtë pune apo një profesioni për të cilin investon prej vitesh. Ekspertët e arsimit e lidhin këtë me mungesën e vendeve të punës dhe me politikat arsimore që nuk orientojnë studimet me nevojat e tregut.

"Ne nuk kemi këshillim karriere që në hapat e para të arsimit, pra që ata me rezultate të ulëta t’i orientojnë drejt arsimin profesional. Apo edhe në gjimnaz, këshillimin e bën një person që ka më pak orë mësimore", u shpreh për TV Klan, Linda Pino, eksperte e arsimit.

"Nuk është bërë një studim për tregun e punësimit në Shqipëri. Me të dhëna zyrtare nga Instati, nga 23% që është popullsia e të rinjve në Shqipëri, 22.2% janë të papunë", tha ekspertja e arsimit.

Ekonomiku dhe juridiku mbeten degët më të pëlqyera nga të rinjtë shqiptarë, pasi vetëm vitin e kaluar sipas Institutit të Statistikave u diplomuan 28.4% e studentëve në vend.

Sipas TV Klan, në Rrjetin Kombëtar të Punësimit në 365 oferta të publikuara dominojnë punët si shitës, rrobaqepës, hidraulik etj, zanate që jo me patjetër kërkojnë një diplomë.