Nga Shqipëria / E Enjte 8 Gusht 2019, 17:05

Kozma Dushit i hapin Facebook të rreme dhe ç'nuk thonë, reagon artisti

Një ndër artistët që kanë një karrierë të gjatë në muzikë  është Kozma Dushi. Ai i ka dhuruar publikut këngë që nuk ndalojnë kurrë së dëgjuari. Kujtojmë se disa nga kënget e tij janë “ Erdhi pranvera”, “Të më vini pa trokitur”, “Eja o shoku im”, “Lule në dritare” etj.

Po bëhet kohë që këngëtari, këngët e së cilit këndohen sapo dëgjohen, po terheq shumë vëmendje me anë të një llogarie në Facebook në emrin e tij.

Llogaria quhet Kozma Dushi (Verteti) dhe shpërndan statuse nga më të ndryshmet. Perveç se të shkruajtura plot me gabime ortografike, këto statuse po ashtu përmbajnë fjalë fyese për miqtë e tij. Artisti ka dashur të pastrojë emrin e tij dhe ka kontaktuar Blitz.al për të deklaruar para të gjithëve si qendron e vërteta. Ai është shprehur se llogaria nuk është e tija por e një njeriu dashakeq që kërkon t’i prishë marrëdhëniet me kolegët si dhe t’i dëmtojë reputacionin.

“Ajo nuk është adresa ime. Asnjë nga fjalët e shkruara aty nuk është bërë nga dora ime. Jam shumë i mërzitur dhe i indinjuar. Unë nuk kam as Facebook, as e- mail, as Instagram, asnjë rrjet social. Atë faqe e ka hapur një person që dëshiron të dëmtojë imazhin tim si artist i njohur, si këngëtar që kam marrë pjesë në 35 festivale dhe vlerësuar me çmime. Ai që po e bën këtë është një person me zemër të keqe, por nuk mundet kurrë të më diskretitojë si artist. Personi që e menaxhon ka fyer dy personazhe të njohur të botës së televizionit dhe politikës me të cilët unë Kozma Dushi nuk kam raport të afërt pasi nuk i njoh mirë. Por fjalët që ai përdor kundrejt tyre shkaktojnë keqkuptim dhe qejfmbetje tek ata që më rrethojnë. E përsëris, nuk jam unë. Nëse ju dërgon ftesë miqësie atëherë mos e pranoni. I vetmi aplikacion që unë përdor është Whatsapp ndaj nëse ky njeri ju kontakton, dijeni se nuk jam unë.”- është shprehur Kozma Dushi duke pastruar në këtë mënyrë emrin e tij. Kujtojmë se dhe dy vite më parë atij i ka ndodhur një situatë e tillë.