Kryebashkiaku, Erion Veliaj, është betuar ditën e sotme në mandatin e tij të dytë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. I pranishëm në ceremoni ka qenë edhe kryeministri, Edi Rama, i cili ka uruar gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak për detyrën e re.

Veliaj ka thënë se është i dashuruar me Tiranën dhe se do vazhdojë të bëj çmos që qyteti të përmirësohet çdo ditë e më shumë.

“Tani kam rënë në dashuri me Bashkinë. Sot jam dyfish i nderuar për besimin që më dhanë ndoshta në vitet më të pazakonta. Dua të falenderoj Aldrinin dhe ndoshta tani duhet t’i japim atij mbështetje në Këshillin e Qarkut. Sfidat që na bëri kryeministri, për të shkuar të gjithë si komunikues, misioni i komunikimit ta bëjmë edhe më efikas me njerëzit që na kanë besuar dhe mbështetur.”

“Nëse në 100 vitet e fundit Tirana është rritur përtej një shtylle kurrizore që quhet Bulevardi i Vjetër, parashikoj që në 100 vitet e ardhshme Tirana të rritet tek ai që quhet Bulevardi i Ri. Kemi vënë pllakën e parë me Kryeministrin në fillim të këtij mandati dhe jam i lumtur që më në fund e pamë të përfundojë kjo shtyllë e re kurrizore e Tiranës, që zgjat dy herë gjatësinë e qytetit dhe të shikojmë si ajo që quhet zona Fin-tech të vazhdojë dhe të zhvillohet në zonë e Bulevardit të Ri. Ju premtoj që nuk do t’ju zhgënjej dhe do të vendos çdo energji timen dhe të stafit në përmbushje të çdo premtimi që ne kemi bërë. Betohem para jush që do të bëj më të mirën për Tiranën e shekullit të ri”, tha Veliaj.







