Nga Shqipëria / E Mërkurë 3 Korrik 2019, 21:09

'Është kollaj të inatosesh', Rama i përgjigjet Metës

Presidenti Ilir Meta mëngjesin e sotëm publikoi një foto ku shfaqej së bashku me Ramën duke biseduar dhe shkruante:  “Mirëmëngjes të dashur qytetarë! Reforma apo Ramaforma? Kjo është çështja. Po çfarë është Ramaforma? Përgjigje e thjeshtë: Zbatimi ”krijues” i Reformës. Timonieri ynë ka timon por s’ka frena, dhe si i tillë shquhet për “krijimtari” të papërmbajtshme. Pas pak po e nisim me Kryereformën në drejtësi meqënëse pas pak ditësh nisim festimet për 3-vjetorin e miratimit të saj me 140 vota, duartrokitje dhe puthje të papërmbajtura."

Pas deklaratës së bërë nga Presidenti Meta, Rama ka reaguar pak më parë me një status në rrjete sociale. Kryeministri shkruan një shprehje të Aristotelit sipas të cilës çdokush mund të inatoset por që ky veprim të bëhet në kohën e duhur me njeriun e duhur dhe masën e duhur është gati e pamundur.

"Çdokush mund të inatoset – kjo është kollaj, por të inatosesh edhe me njeriun e duhur, edhe në masën e duhur, edhe në kohën e duhur, edhe në mënyrën e duhur, kjo jo, kjo nuk është e lehtë dhe jo çdokush e ka këtë fuqi."