E ftuar në emisionin “E ardhmja është vajzë” me Ermira Çaushollin, Klodiana Shala mes lotësh ka rrëfyer vështirësitë që ka kaluar si sportite.
Klodiana tregoi se operacioni i kryer në vitin 2012 në shtyllën kurrizore ndikoi në largimin e saj nga sporti. Një ditë para garës së saj më të rëndësishme në lojërat Olimpike Londër 2012, ajo tregon se gjendja e saj u rëndua sa e morën me barelë.
"Sakrifica e madhe që e kam përjetuar ka qenë 2012 kur unë u largova nga sporti. Nuk u largova me dëshirën time. Kisha një vit të tërë sakrificë që isha në një fazë përgatitore. Një stërvitje pafund, 8 orë në ditë stërvitje. Nuk takoja njeri nga familja sepse isha e grumbulluar për të marrë pjesë në lojërat Olimpike Londër 2012. Pasi kapa normën që ishim 15 sportistet më të mira në botë, isha edhe unë në 200 metra. Pata një dëmtim. Vuajta shumë 2 muaj në Shqipëri. Nuk lashë doktor pa shkuar. Pas dy muajsh terapi të ndryshme unë u nisa për në Londër. Një ditë para garës time zëre se u paralizova. Më morën me barelë dhe aty pata një operacion në shtyllën kurrizore ku e vuajta mbrapa, por vështirësia ishte që lashë sportin. Dhe e lashë në momentin kur isha në kulm. Unë pata fatin që më operuan tre mjekët më të mirë të botës se isha në lojrat olimpike. Ditën e parë dhe të dytë s’kam qenë në gjendje dhe ditën e tretë i shikoja që doktorët më përkëdhelnin. Në një moment u thashë mos u mërzisni nuk kam asgjë, por temperaturën e kisha 40. Unë kam diçka që nëse mërzitem nuk më zbret temperatura. Ndenja edhe disa ditë në Londër dhe u ktheva në Shqipëri", tregoi Klodiana.

Klodiana theksoi se e gjithë kjo erdhi si pasojë e mospasjes së kushteve për t’u stërvitur. Opercionin në shtyllën kurrizore dhe dy ndërhyrje në gju, thotë ajo erdhën për shkak të dëmtimit gjatë stërvitjes nga Liqeni.
“I kam thënë gjithmonë problematikat e mia. Unë që në 2003 u largoja dhe rikthehesha në Shqipëri sepse ne nuk kishim tartan, është gomina që ne e përdorim për tu stërvitur. Problemi në shtyllën kurrizore, si dhe dy operacionet në gju erdhën si problematikë pas unë jam dëmtuar gjatë stërvitjes nga asfalti nga Liqeni. Pjesën financiare ma ka mbuluar familja dhe jo sporti. Pasi jam kthyer nga olimpiada e Athinës në 2004 kam blerë vetë 12 metra tartan. Gjithë këtë sakrificë e kam bërë për sportin për të ditur deri kur do të shkojë Klodi. Me thënë të drejtën nga ‘94-‘12 kam marrë pjesë në gëzime familjare vetëm në një dasmë të vajzës së dajës. Sakrifica të mëdha”, rrëfeu Klodiana në "E ardhmja është vajzë" në ABC.
