Covid-19 i ka marrë jetën aktorit të mirënjohur Valter Gjoni. Mësohet se aktori ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme në moshë 66-vjeçare, pasi prej ditësh ishte i infektuar.

Për ndarjen nga jeta të tij ka reaguar edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Valteri ynë gojëmjaltë e zemërbardhë nuk e mundi dot këtë flamë të pabesë. I shërbeu qytetit tonë me dashuri përditë për 4 dekada, duke lënë sot një boshllëk të pangushëllueshëm për familjen dhe mijëra kolegë e miq që e njohën dhe e deshën si kujtesa historike e Tiranës”, shkruan Veliaj.

Gjoni ka mbajtur më herët edhe postin e Drejtorit të Protokollit në bashkinë e kryeqytetit.
Aktori mban disa tituj nderi brenda dhe jashtë vendit, ku titulli më i lartë është Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikë Franceze dhe Urdhrin “Naim Frashëri” i Republikës së Shqipërisë dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.

