Mbrëmjen e sotme kamerat e "Top Channel-it" kanë hyrë brenda spitalit "Shefqet Ndroqi", i cili shërben si spital ku trajtohen pacientët me Koronavirus.
Shefja Silva Bala e ka shoqëruar gazetaren Sidorela Gjoni në të gjithë ambientet e spitalit.

"Ne kemi dhoma që janë për 2 pacientë, për 4 pacientë dhe për 4 pacientë. Kjo nuk ndikon negativisht sepse ne në mënyrë periodike bëjmë aspirimin e dhomave dhe të ambienteve të spitalit", tha Bala.

Ajo shtoi se në spital ndodhen të shtruar 170 pacientë të moshave të ndryshme.
“Kemi 170 pacientë me mosha të ndryshme, nga 30 deri 85 vjeç, ja do ta shikoni vetë. Zhurma është shumë herë më e vogël se sa jeta e atij që do shpëtojë, zhurma e oksigjenit bëhet pjesë e jetës së tyre, kjo nuk është vetëm në spitalin tonë, është edhe në spitalin më të përparuar në botë. Unë kur shkoj në shtëpi më thonë familjarët që vetëm kur vjen në shtëpi shihesh që je e lumtur”, u shpreh Bala.

Një paciente e shtruar prej 10 ditësh në spital u shpreh për gazetaren: "Jam përmirësuar shumë falë shërbimit të këtij spitali."





