Janë shënuar katër raste në vendin tonë kur pacientët me koronavirus vetëflijohen duke u hedhur nga lartësia. Tre raste kanë ndodhur në Sanatorium, që shërben si spitali Covid 2 dhe njëri rast ndodhi ditën e djeshme tek Infektivi.
Ditën e sotme kryeministri Rama në një komunikim live tha se janë absurde tezat se pacientët hidhen për shkak të zhurmës së pajisjes së vjetër të oksigjenit apo se qëndrojnë në dhomë me pacientë që kanë ndërruar jetë.
“Ka pasur vetëvrasje në botë, në Itali, në Britaninë e Madhe, në Amerikë, në Ukrainë. Në Europë dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndodhur këto dhe nuk besoj se këto kanë ndodhur nga aparaturat që bëjnë zhurmë. Një arsye tjetër sipas këtyre që bëjnë gazetari është nga stresi që i vdes shoku i dhomës dhe ai hidhet nga dritarja. A e mendoni sa njerëz janë në shtëpia me ankthin e kësaj sëmundje në trup dhe nuk guxojnë dot të hapin TV se del Luli, Iliri, Sali e Monika dhe analistët dhe reporterët e Covidit që nuk dinë çfarë flasin. Ne në Shqipëri nuk kemi bërë asnjë mrekulli. Dje Biden doli dhe paralajmëroi 200 mijë vdekje të tjera. SHBA po arrijnë në shifra që nuk i kanë arritur në asnjë luftë. Pse nuk i ndalon SHBA infektimet me formulën e Lulëzim derdimenit. Apo Gjermania që ka numrin më të madh të testime. Pse del Merkel dhe thotë me keqardhje por gjurmimi ka hasur në vështirësi. Pse del Macron që udhëheq një vend që shëndetësia e të cilit ka kapur majat. Kjo është një tallje me politikën dhe lehaqenie për njerëz që janë aty për të folur me gjuhën e të vërtetës. Kjo përbën krim", tha Rama.
