Pas zgjedhjes së Biden president, ekspertët paralajmërojnë një ndryshim rrënjësor në strategjinë mbi luftën kundër pandemisë së koronavirusit.
Shumë shkencëtarë fajësonin Donald Trump për keqmenaxhim ndërsa tani pritet që Biden të planifikojë një strategji të re.
“Ka të ngjarë të jetë e organizuar mirë, të ketë një komunikim të qartë e të bazohet tek shkenca. Këto janë tre ndryshime shumë të rëndësishme e të reja“, thotë Thomas Frieden, ish-kreu i Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) si dhe president i organizatës jofitimprurëse që trajton çështje të shëndetit “Vendosmëri për të shpëtuar jetë”.
Zoti Biden ka bërë të ditur se pandemia është një nga katër çështjet kryesore që ai planifikon të trajtojë menjëherë pas marrjes së detyrës, së bashku me rimëkëmbjen e ekonomisë, çështjen e barazisë racore dhe ndryshimin e klimës. Ai ka zgjedhur një ekip ekspertësh me njohuri të thella dhe të gjera mbi sëmundjet infektive dhe shëndetit publik, të cilët do të punojnë për hartimin e një plani për zoti Biden për t’u zbatuar pas inaugurimit të tij më 20 janar.
