Nga Shqipëria / E Hënë 9 Nëntor 2020, 20:08

Ndarja nga jeta e Koço Devoles, Agron Llakaj: Iku i varfër dhe me një shtëpi me qira

Aktori i njohur i humorit, Koço Devole u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm, pas disa ditësh i shtruar në spitalin "Infektiv".

I ftuar këtë pasdite në "Ftesë në pesë", aktori Agron Llakaj shprehu gjithë vlerësimin e tij për të, si dhe ndau trishtimin për humbjen e një artisti të madh. Llakaj e cilësoi kolegun si "perandorin e fundit".

"Në Shqipëri ka shumë artistë të humorit, ka patur artistë të humorit që unë i kujtoj, por për mua Koço Devole ngelet perandori i fundit, i vetmi aktor papioni", u shpreh ai.

Llakaj përmendi në emision se Devole u largua nga kjo jetë i varfër dhe me një shtëpi me qira dhe kjo e dyfishon dhimbjen që la pas ikja e tij.

"Ishte një thesar që iku aq i varfër. Kjo hipokrizi nuk mund të vazhdojë më. Koço iku dhe mori mirënjohje, por mori me vete dhe mosvlerësimin e pushteteve. U largua i varfër nga kjo botë dhe me një shtëpi me qira. Kjo e bën dyfish më të madhe dhimbjen. Ishte i formuar në çdo gjë. Kishte cilësi të jashtëzakonshme. Ëndrra vazhdon, humori do të vazhdojë dhe brenda nesh kemi pak "Koço", tha aktori.