Ditën e sotme u nda nga jeta në moshën 80 vjeçare, mjeshtri i humorit shkodran, Gëzim Kruja. Lajmi trishtoi të gjithë kolegët, të afërmit e shqiptarët. Bashkëpunëtori i tij në shumë skena të humorit, Zef Deda ka treguar se e kishte jo vetëm një mik shumë të mirë Krujën, por edhe idhullin e tij.

“Ai ishte një idhull i jashtëzakonshëm që në fëmijërinë time, ai na frymëzoi ne të gjithëve që të shkonim në gjurmët e tij, për të bërë të buzëqeshur atë publik që na dhuron duartrokitje dhe kaq shumë emocione. Para katër muajsh patëm ditëlindjen e Gëzimit, u mobilizuam të gjithë që t'i bënim një festë, ai kishte një goditje të rëndë në aparatin folës. Ai ishte gëzimi më i madh i tij, dhe për familjen e tij, dhe do të jetë një ditë që do ta mbajmë mend gjatë që të gjithë”, është shprehur Zef Deda për "Fax News" teksa nuk i ka mbajtur lotët për humbjen e mikut të tij.

Më tej, aktori i njohur Zef Deda ka rrëfyer se ditët e fundit kishte patur probleme me frymëmarrjen. “U shqetësova shumë kur e mora lajmin, nuk ka as gjysmë ore që më telefonuan, i shpreh ngushëllime familjes, dhe krejt artistëve e qytetarëve të Shkodrës. Gëzimi ishte i jashtëzakonshëm pavarësisht roleve që ka pasur, dhe ai ka qenë një mik i jashtëzakonshëm, që gjithmonë dinte të na qëndronte afër dhe të na surprizonte”, u shpreh Deda mes emocionesh.
