Nga Shqipëria / E Premte 3 Prill 2020, 22:10

Shkon në 132 numri i infektuarve me Koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se brenda 24 orësh në Kosovë janë regjistruar 6 raste të reja me Koronavirus. Numri në total i të prekurve ka shkuar në 132. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 6 persona të tjerë duke bërë që numri i të shëruarve të shkojë në 16.

Njoftimi i plotë:

“Gjashte te sheruar dhe gjashte raste me Covid-19! Sot më 03.04.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 105 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, gjashtë (6) prej tyre kanë rezultuar pozitive. Sot më 03.04.2020, janë të shëruar edhe gjashtë (6) pacientë derisa numri i përgjithshshëm i të shëruarve deri me sot është gjashtëmbëdhjetë (16). Falënderojmë Klinikën Infektive dhe stafin e profesionistëve për shërimin e pacientëve. Rastet pozitive janë raste kontakti, katër (4) prej të cilave janë me vendbanim në Llugagji -Pejë, një (1) me vendbanim në Pejë dhe një (1) e karantinuar. Nga data 08.02.2020 deri me 03.04.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.605 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 132 raste me 1 rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç. Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.772 kontakte të rasteve."