Ditën e sotme drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, me anë të një videoje live me kryeministrin Edi Rama dhe specialistë të tjerë të fushës, ka raportuar rrreth situatës në vend.
Brataj bëri me dije se kur ka qenë piku më i lartë i telefonatave dhe shtrimeve nga Koronavirusi në vend. Sipas raportimit të tij piku i thirrjeve ka qenë me datën 14 Mars me 8232 thirrje, ndërkohu piku i shtrimeve me datë 27 Mars me 25 shtrime në të gjithë Shqipërinë.
Po ashtu ai ka njoftuar se ky fluks ka ardhur duke u ulur.
"Është shumë interesnte se sot bëmë një analizë të të gjithë shifrave, që ndoshta tregon ecurinë më së miri, sepse si të thuash, ne jemi termometri i kësaj gjëje pasi kontakti i parë i qytetarëve jemi ne.
133 443 thirrje kanë ardhur vetëm gjatë muajit mars, rreth 15 000 thirrje të ardhura në numrin 0800. Nga rreth 150 mijë thirrje të kryera, nga të cilat kemi patur 66 400 vetëm për koronavirusin, dhe janë triazhuar 8014 nga njësia e koordinimit, e cila ka vlerësuar se 222 kanë qenë misione të drejtuara tek spitali.
Piku i thirrjeve ka qenë në datën 14 mars me 8232 thirrje. Ndërsa në këtë moment, vetëm sot jemi 3656 thirrje. Këto janë indikatorë shumë të rëndësishëm.
Ndërkohë që piku i shtrimeve me Covid-19 ka qenë në datën 27 mars, janë bërë 25 shtrime në gjithë Shqipërinë.
Ndërsa në datën 2 prill patëm vetëm 13 shtrime, gjë e cila tregon uljen e këtyre thirrjeve, misioneve, që do të thotë dhe uljen e shpërndarjes së virusit, falë masave që kemi marrë më parë", tha ai.
Kujtojmë se Brataj është vetëizoluar në shtëpi. Dy javë më parë u infektua me Koronavirus, megjithatë ditën e sotme bëri me dije se gjendja e tij shëndetësore është shumë mirë.
