Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e sotme në një video live në llogarinë e tij të Facebook-ut. Ai u shpreh se ka mundësi të lejohet automjeti privat për të shkuar në punë. Megjithatë një lehtësim i tillë mund të shoqërohet me shtrëngime të tjera. Rama ka paralajmëruar se mund të shkojë deri në heqje lirie nëse personi e përdor automjetin për të transportuar njerëz të tjerë.
"Nëse do fillojmë të bëjmë disa lehtësime, patjetër do bëjmë dhe disa shtrëngime.
Nëse do lehtësojmë pak, do jemi të rrezikuar nga ata që nuk duan të kuptojnë dhe thyejnë rregullat duke kërcënuar kthimin në bomba, kështu që ne po konsiderojmë që duke lehtësuar fjala vjen fashën orare apo lëvizjen me automjet për punë të të gjithë atyre që janë në një punë që lejohet dhe nuk e kanë të mundur të lëvizin me automjetin e tyre private, atëherë duhet të rrisim fort sanksionet për ata që do ta shkelin hapësirën e kufizuar të lirisë, dhe duhet të shkojmë deri në heqje lirie për dikë që nëse merr një automjet për të shkuar në punë, e përdor automjetin e tij privat për të transportuar njerëz të tjerë", u shpreh kryeministri.
