Mbrëmjen e sotme presidenti i "Balfin Group", Samir Mane, ishte në një lidhje direkte për emisionin "Opinion", për të folur rreth krizës që ka shkaktuar Koronavirusi në nivel global.
Ai është shprehur se shqetësimi më i madh që kanë këto kohë me stafet drejtuese, është si të bëjnë të mundur që asnjë nga punonjësit të hiqet nga puna.
Mane tha për "Opinion" se situata është problematike dhe për bizneset e mëdha. Ai deklaroi se mbyllja 1 mujore e biznesit kërkon një periudhë 18 mujore rikuperimi.
Për bizneset e grupit të tij tha:
"Shitja me pakicë është afektuar në masë të madhe nga kriza, por 55% e njerëzve janë në punë, ndërsa pjesa tjetër janë në shtëpi, pasi qendrat tregtare, dyqanet e pakicës janë të mbyllura. Të gjithë janë paguar deri tani dhe shqetësimi më i madh që kemi patur është si të mos heqim asnjë punëtor nga puna.
Unë mendoj se kompanitë e mëdha si dhe në të gjitha vendet e botës, janë po aq shumë të rrezikuara, për të mos thënë edhe më shumë se kompanitë e mesme e të vogla, por pa dyshim puna jonë e pritshme është si të bëjmë të mundur, dhe besoj ia kemi dalë, që të gjithë punonjësit të marrin rrogën, të mos heqim asnjë nga puna. Besoj se deri në qershor të vitit tjetër kemi mundur që me kapacitetet tona financiare për të gjithë ata që nuk punojnë, të mos largojmë njeri nga puna dhe kompania të veprojë të operojë. Natyrisht që solidariteti i madh mes kompanive që kanë mundësi për të ndihmuar kompanitë që nuk kanë mundësi, i kam parë gjatë këtyre ditëve dhe për këtë jam shumë mirënjohës…".
Përsa i përket limitit se sa mund të rezistojnë kompanitë e mëdha shqiptare në të tilla kushte, ai u shpreh:
"Varet nga kompanitë, por padyshim që ka komani që nuk mund ta mbyllin dot as prillin se të ardhurat e tyre nuk e mundësojnë, jo vetëm pagën e punonjësve, por dhe shpenzimet e tjera. Ka kompani që kanë mallra me datë skandence për një muaj, dhe këto kompani mund të falimentojnë. Mendoj që kompanitë e mëdha, varet nga industria, mund të ketë nga 1 muaj deri 5 muaj, por mund të ketë dhe kompani që rezistojnë dhe më gjatë… ".
