Para disa javësh fotoja e një infermierje italiane, teksa punonte në spitalin e Cremona, me kokën e mbështetur në tastierën e kompjuterit, bëri xhiron e rrjetit duke i përlotur të gjithë. Më pas ajo rezultoi pozitive me Koronavirus.
Sot pas disa ditësh është bërë e ditur se infermierja, e quajtur Elena, është shëruar dhe mezi po pret të kthehet në detyrë.
Për lajmin e shërimit të saj ka reaguar dhe ministri i jashtëm italian Luigi Di Maio, i cili me anë të një statusi në llogarinë e tij të Facebook-ut shkruan se fotoja e infermieres portretizon dashurinë për jetën.
“Fotoja e Elenës, është një shkrepje nga jeta reale, është impenjim dhe sakrificë dhe ka prekur zemrat e të gjithëve. Është një foto që portretizon dashurinë për jetën dhe përpjekja për ta mbrojtur atë. Në një foto shfaqet i gjithë njerëzimi i kësaj gruaje. Elena u shërua sot, pasi kishte rezultuar pozitive me Koronavirus dhe fjalë e saj të para ishin plot shpresë "Mezi pres të kthehem në spital". Faleminderit, faleminderit atyre që nuk heqin dorë kurrë”, shkruan ai.

