Nga Shqipëria / E Enjte 2 Prill 2020, 17:05

Flet infermieri shqiptar që u infektua me Koronavirus: Qëndrova 8 ditë në spital...

Në një lidhje direkte për emisionin "Me zemër të hapur" ishte Dritan Kreci, një infermier shqiptar që shërben prej 17 vitesh në Itali. Kreci është infektuar nga Koronavirusi dhe ka treguar simptomat e para.

"Kam ndjerë shtrëngime në stomak, shenjat e para, për rreth një orë. Futet dhe kjo në një ndër shenjat paralajmëruese. Pas disa orësh, pasi kisha bërë dhe dush, më filluan dhe shenjat e para të temperaturës. Deri në momentin e fundit kur mora analizat, e ndjeja veten negativ. Nuk doja ta besoja. Kjo sepse nuk doja të vija në rrezik familjen dhe të tjerët dhe e dyta sepse jam optimist nga vetë natyra", ka treguar ai.

Në momentin që simptomat e tij kanë filluar të përkeqësohen, ai është shtruar në spital.

"Gjatë javës, në ditët e para deri të martën që bëra tamponin, kisha shumë dhimbje të muskujve dhe nuk arrija dot as të flija, temperatura vazhdonte të rritej. Të mërkurën mora përgjigjen, dola pozitiv. Të premten, të enjten kisha frymëmarrje të shkurtër, temperatura nuk më iku për 12 ditë.

Kam shkuar në spital në orën 5 të mëngjesit, bëra analizat, të parat ishin optimiste, por duke bërë dhe një grafi doli që isha pozitiv, por jo shumë e qartë. Në atë moment nisa terapinë, antibiotikun. Për tri ditë fillova me antibiotikë dhe një anti-reumatoidë, që mbyll toksinat. U ktheva në shtëpi, por ditën tjetër situata ishte më e vështirë. Vajta në spital, ku tashmë ishte shumë e vështirë të gjeje vende.

Situata ime ishte e vështirë, por ja dola vetëm me oksigjen normal. Në spital qëndrova tetë ditë. Të martën dola nga spitali. Deri të premten që isha i shtruar kisha cdo ditë përsëritje të temperaturës mbi 38", eshte shprehur infermieri.

Dritani tani është kthyer në shtëpi dhe ka marrë me vete dhe pajisjen e oksigjenit. Ai shprehet se e ka përdorur vetëm gjatë natës. Deri me datë 12 ai duhet të qëndrojë në shtëpi dhe me 15 duhet të kthehet në punë.