Kryeministri Rama në një lidhje live me "Euronews", deklaroi se nëse qytetarët do të rezistojnë duke i zbatuar rregullat, masat do të lehtësohen. Kryeministri tregoi se masat shtrënguese kanë dhënë efekt dhe kanë sjellë një kurbë të butë.
"Besoj shumë që them gjënë e duhur duke iu përgjigjur pyetjes tuaj, që nëse nuk do të kishim marrë ne këto masa, sot do të ishim në kushtet ku nuk do kishim vend në spital dhe numri i të vdekurve mund të ishte 30-fish më i lartë. Pikërisht prej këtyre masave jemi sot në një kurbë goxha të butë dhe në një situatë absolutisht nën kontroll në sistemin tonë shëndetësor. Sigurisht që jemi shumë të vetëdijshëm për efektet negative të masave si rezultat i luftës, por jam i bindur që nëse do vazhdojmë kështu do t’ja dalim më shpejt se shumë të tjerë. Ndërkohë kemi edhe planin e lehtësimit. Pasi të kemi parë si do ecë kjo javë apo 10-12 ditëshi i ardhshëm, ne mund të mendojmë ndonjë masë lehtësuese. Është ende herët, por po ju them që nëse vazhdojmë kështu, nëse rezistojmë për të dalë gjallë, që në familjen tënde të mos ketë asnjë të vdekur dhe asnjë që do vuajë picirin, me siguri do të jemi shumë krenarë për luftën që po bëjmë", u shpreh Rama.
