Një ndër të shëruarit nga Koronavirusi në vendin tonë, Erind Cara, ishte në një lidhje direkte për emisionin "Historia ime". Ai ka treguar se falë moshës dhe aktivitetit fizik që ka pasur, ka arritur të mposhtë Koronavirusin.
Po ashtu Cara ka rrëfyer se fillimisht ka menduar se ka qenë thjesht ftohje dhe është kuruar për këtë.
"Të them të drejtën as vetë nuk arrita në një finalizim që ta ndaja kur e mora, por duke qenë se kalova një periudhë ftohje për 7-8 ditë në shtëpi, që ishte me temperaturë kalon nga 37e 30 deri në 39 e 30. Ishte një periudhë gati 7-8 ditë që ishte kështu.
E morëm si një ftohje, pneumoni edhe u kurova për këtë, pasi kalova terapinë dhe të gjitha këto fillova të ndjeja dhe vështirësi në frymëmarrje. Gjë që më bënte shumë përshtypje se nuk kisha pasur asnjëherë duke qenë se bëj një jetë aktive, merrem me sport gjithë kohës, 6 herë në javë. Pastaj u drejtova në spitalin sanatorium, ku më rekomanduan të bëja një skaner.
Gjë e cila solli se kisha disa problematika, por për ta ndarë tamam duhet të bëhej edhe testi, tamponi që është për diagnozën e virusit. Me bërjen e testit u drejtuam drejt spitalit infektiv, ku dhe pritëm përgjigjen dhe ku u shtrova në pavionin e infektivit", ka treguar ai.
Ai është shprehur se momenti kur mori vesh se ishte pozitiv, i ka ardhur si e papritur por megjithatë mendonte se do kalohej si çdo grip tjetër.
"Mbase momenti kur mora vesh që isha pozitiv, më bëri përshtypje, po si ka mundësi, s’kam abuzuar asnjëherë, as me duhanin dhe as me alkoolin. Ishte diçka që erdhi si e papritur, por duke qenë se kisha lexuar për virusin mendoja se do kalohej si çdo grip tjetër, pavarësisht se ka dhe problematikat më të mëdha për sa i përket frymëmarrjes. Por besoj se për moshën time dhe për ne të rinjtë është më i lehtë për t’u menaxhuar", tha Cara.
