Nga Shqipëria / E Diel 29 Mars 2020, 23:11

Gazeta italiane: Shqipëria e vogël i dha mësim Europës së pasur

Gjesti që qeveria shqiptare bëri për Italinë, duke dërguar 30 mjekë për të luftuar koronavirusin, mori vëmendjen e mediave botërore, që nga Reuters e deri tek New York Times. Një artikull të veçantë i ka kushtuar këtij gjesti, gazeta italiane "Open" e cila shkruan se ky ishte një mësim për Europën e pasur nga Shqipëria e vogël.

"Lufta kundër koronavirusit nuk ka kombësi dhe nuk mund t’i lerë hapësirë përllogaritjeve egoiste. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, me gjestin e tij të vogël dhe të madh, u mësoi liderëve europianë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e Europës", e nis shkrimin "Open".

"Shqipëria ka dërguar një skuadër prej 30 mjekësh, një ekip i vogël, por një gjest i papritur nga ana e një shteti që gjendet ende mes mijëra vështirësive, duke nisur që nga rindërtimi pas tërmetit të tmerrshëm të Nëntorit 2019", vazhdon shkrimi duke cituar fjalët e kryeministrit: "Nuk jemi pa memorie, nuk mund të mos t’i tregojmë Italisë që Shqipëria dhe shqiptarët nuk e braktisin kurrë një mik në vështirësi. Sot jemi të gjithë italianë dhe Italia duhet të fitojë dhe do ta fitojë këtë luftë edhe për ne, për Europën dhe për gjithë botën".