Nga Shqipëria / E Shtunë 28 Mars 2020, 12:12

Historia prekëse e infermieres shqiptare që lutet të mos vrasë padashur të bijën

Valbona është një ndër infermieret që po lufton në frontin e parë të luftës me Koronavirusin, së bashku me stafin e Infektivit. Historia e saj është mjaft prekëse. Pas punës kthehet në shtëpi ku e pret vajza, e cila ka kaluar një sëmundje të vështirë dhe nuk duhet të ketë asnjë kontakt me virusin.

Valbona lutet të mos e vrasë padashur të bijën. Historia e saj është publikuar nga Ilir Haxholli dhe është shpërndarë për sensibilizim.

"BETIMI I VALBONES: VALBONA është një ndër infermieret që po lufton në fushë-betejën e COVID 1 pranë Spitalit Infektiv. Forca dhe përkushtimi janë dy armët e saj të ftohta. E vendosur në vijën e parë të luftës, bashkë me mjekë e infermierë të tjerë, BONA, emri i së cilës, është në thelb shërbim, vazhdon misionin jetëdashës. Njësoj si kolegët e saj italianë, spanjollë apo grekë, në fytyrën e saj ka plagë, që janë më të paktat që lufta mund të shkaktojë. Plagët më të mëdha nuk duken.

Në darkë apo mëngjes, ajo duhet të kthehet në shtëpi, tek vajza e saj, e cila ka kaluar një sëmundje të vështirë dhe në çdo rast nuk duhet të ketë asnjë kontakt me virusin. Teksa largohet nga puna ajo lutet që plumbat e marrë gjatë shërbimit t’i ketë lënë në fushë-betejë, për të mos vrarë me ta padashur të bijën. Betohem solemnisht përpara Zotit…Kështu nis betimi i infermierit, dhe Bona po e përmbush atë, para Zotit, vetes dhe nesh. Në lagjen time ku ajo banon, mjafton që ta thërrasësh nga ballkoni për t’u gjendur pranë në çast. VALBONA është sot HEROINA. FALEMINDERIT DHE ZOTI QOFTE ME TY! Ta shpërndajmë në formë solidariteti”, shkruan ai.