Zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli në një deklaratë për mediat bëri me dije se në 24 orët e fundit në Shqipëri janë konfirmuar 23 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e të prekurve në 146 dhe janë kryer 111 testime.
Harta e të prekurve nga virusi është shtrirë tashmë edhe në Krujë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Lezhë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.
“Ju informojmë se në spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 72 pacientë të shtruar, 4 prej tyre janë në terapi intensive (3 pacientë janë të intubuar në gjenje të rëndë). Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Lajmi i mirë është se 17 qytetarë deri në këto momente janë shëruar (të shtruar dhe të vetëizoluar) pas dy testeve të kryera. Por ata duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim për 14 ditë”, u shpreh Rakacolli.
