Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në një deklaratë për mediat pak më parë njoftoi miratimin e aktit normativ, për lirimin e përkohshëm në shtëpi të rreth 600 të dënuarve me rrezikshmëri të ulët dhe që vuajnë nga sëmundje të cilat krijojnë terren për Covid-19.
Gjonaj sqaroi se cilët janë ata të burgosur që përfitojnë.
"Dje qeveria mori një masë shumë të rëndësishme dhe plotësisht të arsyeshme në këtë drejtim. Miratuam aktin normativ për lirimin me qëndrim të përkohshëm në shtëpi, të të dënuarve me rrezikshmëri të ulët dhe që vuajnë nga një sëmundje që krijojnë terren ndaj Covid-19. Ministria e Drejtësisë kreu një analizë të detajuar të situatë shëndetësore në sistemin e burgjeve.
Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, qeveria miratoi një akt normativ për të karantinuar në shtëpitë e tyre për një periudhë 3 mujore, të gjithë ata të dënuar me vendim të formës së prerë, që në datën e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, u ka mbetur pa vuajtur nga dënimi deri në 3 vjet burg dhe të gjithë ata të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë që me datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, pra sot, u ka mbetur pa vuajtur 5 vjet dënim, por që duhet të jenë baraz ose mbi moshën 60 vjeç, që vuajnë nga një sëmundje kronike, e cila i bën më vulnerabël ndaj virusit Covid-19, të vërtetuar me dokumentet mjekësore përkatëse”.
Sqaroj se këto dy kategori përfitojnë vetëm nëse nuk janë dënuar me vepra penale të një rrezishmërie të rëndë, si krime të rënda, organizata kriminale, banda të armatosura, organizatat terroriste, të cilat përfshihen si kritere ndaluese në këtë akt normativ, me qëllim që të garantohet që të përfitojnë ata që kanë një sjellje të mirë, që nuk janë nën hetim nga një vepër tjetër penale dhe që nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore.
Nga ky akt normativ parashikohet të lenë përkohësisht burgun rreth 600 të dënuar. Kjo masë e marrë sot, në situatën e pazakontë në të cilën ndodhemi do të lehtësojë mbrojtjen e shëndetit në burgje dhe do të fuqizojë efektin e masave parandaluese nga virusit Covid-19”.
