Italia regjistron numrin më të madh të viktimave në mbarë botën, 4825, duke ia kaluar dhe epiqendrës së virusit, Kinës. Vetëm brenda 24 orësh në Itali u konfirmuan 739 të vdekur.
Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte ka njoftuar për të tjera masa të larta sigurie. Në një deklaratë për mediat ai ka deklaruar mbylljen e të gjithë aktiviteteve prodhuese që nuk janë esenciale për ekonominë e vendit.
“Do të lejojmë vetëm aktivitetet prodhuese që konsiderohen të rëndësishme për prodhimin kombëtar. Masat janë të rënda, jam i vetëdijshëm për këtë, por nuk kemi asnjë alternativë tjetër. Duhet të rezistojmë sepse vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohemi. Do të ngadalësojmë motorin e prodhimit të vendit, por nuk do ta ndalojmë. Nuk është një vendim i lehtë, por është e nevojshme në mënyrë që të kemi mundësi të kontrollojmë përhapjen e epidemisë”, u shpreh ai.
Në vend do të qëndrojnë hapur dyqanet ushqimore, farmacitë dhe do të ofrohen shërbimet e postës, bankare, financiare.
