Nga Shqipëria / E Shtunë 21 Mars 2020, 21:09

Studimi i fundit: Ja si u krijua Covid-19

Sipas studimeve të fundit koronavirusi i ri COVID-19, është rezultat i evoluimit në mënyrë natyrale në formën agresive që ka aktualisht dhe jo i krijuar në laborator. Në këtë përfundim ka arritur një studim i publikuar në revistën shkencore "Nature Medicine".

Shkencëtarët zbuluan shenja që vërtetojnë se mutacioni ka ndodhur në mënyrë natyrale, me shumë gjasa brenda organizmit të lakuriqit të natës apo disa llojeve të tjera të gjitarëve.

Kristian Andersen, profesor i asociuar i imunologjisë dhe mikrobiologjisë dhe kolegët e tij vendosën të shohin se çfarë mund të nxjerrin për origjinën e koronavirusit të ri nga analizimi i të dhënave gjenomike.

Për të zbuluar origjinën e virusit të ri, studiuesit krahasuan "shtyllën kurrizore" të Covid-19 me atë të viruseve të tjerë që zakonisht prekin lakuriqët e natës. 

Andersen dhe ekipi i tij analizuan proteinën e njohur si 'spike' që mbështjell virusin dhe i krijon mundësinë të penetrojë qelizat e kafshëve dhe njerëzve. Nga provat, ata vërtetuan se këto proteina kanë aftësi tepër të lartë ngjitëse me qelizat njerëzore, që mund të zhvillohet vetëm në formë natyrore dhe që nuk mund të jetë produkt i inxhinierisë gjenetike të ushtruar në laboratorë.