Në Shqipëri, në qytete të ndryshme, janë shënuar 76 viktima nga Koronavirusi. Stafi mjekësor është në front të parë të luftës kundër armikut, duke rrezikuar vetë jetën e tyre në ndihmë të shoqërisë.
Ditën e sotme gazetari Bledi Mane përmes një postimi në llogarinë e tij të Facebook-ut ka bërë me dije se ka ndihmuar një familje përmetare, familjen Milo, për të realizuar një gjest sensibilizues dhe respekti për doktorët, mjekët, infermierët, sanitarët dhe gjithë mjekësinë shqiptare. Në afërsi të "Pallatit me Shigjeta", në drejtim të Kombinatit, kanë vendosur një banderolë të madhe ku lexon: Zemrën falja dashurisë, mushkëritë besoja mjekësisë!
"Edhe keshtu shpetohet atdheu!
Ti nxitove sot të gjeje hapur para orës një të drekës furrën e bukës apo marketin e ushqimeve, ndërsa ata përpiqeshin të zbusnin dhimbjet e plagës që ka pushtuar qytetin.
Personalisht u ndjeva krenar kur familja përmetare Milo më kërkoi ndihmën modeste. Bashkë me patriotët e mi që financuan dhe përgatitën gjithçka, shpalosëm sot në kryeqytet banderolën e madhe të mirënjohjes në shenjë sensibilizimi dhe respekti për doktorët, infermierët, sanitarët dhe gjithë mjekësinë shqiptare që na është përkushtuar të gjithëve 24 orë.
Sapo kaloni mbikalimin në afërsi të "Pallatit me Shigjeta" në drejtim të Kombinatit do u shfaqet billboardi gjigand ku do lexoni:
Zemrën falja DASHURISË,
Mushkëritë besoja MJEKËSISË!
#reapektPërBluzatEbardha
Me kontribute të tilla dhe duke ndenjur të gjithë në shtëpi do ua bëjmë më të lehtë punen", ka shkruar Mane.




